Aktivitetet jashtëshkollore zhvillojnë shkathtësinë e komunikimit dhe vetëbesimin e nxënësve

Data e Publikimit 06 Prill 2020

Thuhet se komunikimi konsiderohet të jetë shkathtësia më e rëndësishme tek një nxënës apo punonjës. Albina Ramadani, nxënëse në gjimnazin ‘’Xhavit Ahmeti’’ në Gjilan, përpos që është dëgjuese e mirë, ajo edhe komunikon në mënyrë miqësore dhe me vetëbesim. Por, a ka qenë gjithnjë kështu? Albina Ramadani së fundmi i është bashkuar klubit të karrierës, i cili u themelua nga Programi “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt”. Përgjatë shumë aktiviteteve që u zhvilluan gjatë muajve të fundit, ajo veçon bashkëpunimin mes anëtarëve të klubit, misioni i të cilit është të ndihmojë bashkëmoshatarët e tyre në gjetjen e punës praktike, përvojave vullnetare dhe në organizimin e mundësive të ndryshme që lidhen me karrierën, në mënyrë që adoleshentët të marrin vendime të informuara për karrierën e tyre. E frymëzuar nga kjo mundësi, Albina u bashkua si vullnetare në klubin e karrierës dhe, duke qenë aktive në klub, ajo vuri re se si po e tejkalonte frikën e saj për të folur para një publiku, sado të madh apo të vogël.

“Të qenit anëtare e këtij klubi më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë në menaxhimin e ankthit tim në të folur. Kam kuptuar se mund ta përballoj këtë frikë dhe kjo më ndihmoi të ndërtoj vetëbesim sa herë që flisja para një grupi njerëzish. Sigurisht, gjithçka qe më e lehtë me mbështetjen që mora nga të gjithë anëtarët e klubit”.

Albinës i pëlqen t’i ndihmojë anëtarët e klubit në aktivitete të ndryshme, si dhe të hulumtojë dhe diskutojë për aktivitete të reja krijuese që klubi do t’i zbatojë. Ajo beson që komunikimi efektiv dhe me vetëbesim është çelësi për të qenë i suksesshem në shekullin 21.